Programet e Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri dhe Mali i Zi – Kosovë sjellin rezultate konkrete

2 1 scaled

Ministria e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi organizoi një Ngjarje Kapitalizimi në kuadër të Programeve të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri dhe Mali i Zi – Kosovë, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve, qeverive vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve të projekteve nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

Ngjarja kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave, prezantimin e arritjeve dhe identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërkufitar. Ndërsa hapi aktivitetin, Millosh Markoviq, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë për Bashkëpunim Territorial Evropian në Ministrinë e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, theksoi se bashkëpunimi ndërkufitar vendos themelet për zhvillimin afatgjatë të rajonit.

Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë gurthemeli i përparimit drejt Bashkimit Evropian. Përmes tetëdhjetë e tre projekteve të zbatuara me vlerë mbi 25 milionë euro, kemi bashkuar institucionet publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet arsimore, sektorin e shoqërisë civile dhe partnerë të shumtë, të cilët përmes punës së tyre kanë kontribuar në rezultate konkrete. Së bashku, kemi përmirësuar punësimin, veçanërisht për grupet në nevojë, kemi punuar në mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, kemi zhvilluar turizmin përmes valorizimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe kemi forcuar kapacitetet e komuniteteve dhe institucioneve lokale”, tha Markoviq.

Rando Kote, Përgjegjës në Sektorin për Bashkëpunim Territorial në Agjencinë Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës të Republikës së Shqipërisë, theksoi rëndësinë e kapitalizimit dhe rolin e vlerave të BE-së në bashkëpunimin rajonal. “Kapitalizimi na mundëson të shëndërrojmë përvojën në njohuri, njohuritë në politika dhe politikat në ndikim të qëndrueshëm, duke siguruar që rezultatet e projekteve tona të vazhdojnë t’u shërbejnë komuniteteve dhe brezave të ardhshëm”, tha Kote.

Jeton Qela, Sekretar Shteti në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, vuri në pah kontributin e komuniteteve dhe institucioneve lokale përmes zbatimit të projekteve. “Projektet dhe praktikat më të mira që po prezantojmë sot tregojnë se kur qeverisja lokale mbështetet dhe fuqizohet, ajo shndërrohet në një nxitës të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social”, tha Qela.

Sanja Beçanoviq, Drejtoreshës e Përgjithshme në Detyrë e Drejtorisë për Financim, Kontraktim dhe Zbatim të Fondeve të BE-së në Ministrinë e Financave të Malit të Zi, rikujtoi përfitimet konkrete të projekteve ndërkufitare për qytetarët dhe ekonomitë lokale. “Projektet e zbatuara në kuadër të këtyre programeve tregojnë qartë se si bashkëpunimi ndërkufitar mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët – përmes punësimit, forcimit të ekonomive lokale dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore”, tha Beçanoviq.

Melanie Bride, përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, theksoi vlerat evropiane dhe kontributin e bashkëpunimit ndërkufitar. “Bashkëpunimi ndërkufitar nxit unitetin, mbështet përpjekjet zhvillimore dhe kontribuon në uljen e pabarazive territoriale, të gjitha këto të mbështetura në vlera të përbashkëta evropiane – besim, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë,” tha Bride.

Panelistët në sesionin mbi punësimin dhe mundësitë e punësimit theksuan se projektet ndërkufitare të financuara nga BE-ja në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë sjellin rezultate konkrete duke fuqizuar të rinjtë, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera në nevojë përmes ngritjes së aftësive praktike, mentorimit dhe mbështetjes për sipërmarrjen. U theksua se angazhimi i fortë i punëdhënësve, bashkëpunimi ndërkufitar dhe partneritetet institucionale janë kyçe për punësim të qëndrueshëm dhe vetëpunësim.

Në panelin mbi turizmin dhe trashëgiminë kulturore, pjesëmarrësit theksuan se turizmi i suksesshëm ndërkufitar bazohet në vlera autentike lokale, partneritete të forta dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale, duke ruajtur një ekuilibër të kujdesshëm ndërmjet zhvillimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore. U theksua se arsimi, mjetet digjitale, standardet mjedisore dhe brendimi i gastronomisë lokale dhe përvojave rurale rrisin ndjeshëm cilësinë e ofertës dhe konkurrueshmërinë e destinacioneve. U konkludua se zhvillimi i ardhshëm duhet të orientohet drejt investimeve të qëndrueshme, tranzicionit të gjelbër dhe forcimit të rrjeteve ndërkufitare për të siguruar ndikim afatgjatë dhe qëndrueshmëri të sektorit të turizmit në rajon.

Sesioni mbi mbrojtjen e mjedisit tregoi se aktivitetet konkrete mjedisore dhe bashkëpunimi ndërkufitar kanë sjellë rezultate të dukshme në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së komuniteteve lokale. Pjesëmarrësit u pajtuan se një qasje e përbashkët, përfshirja e fortë e komuniteteve dhe shkëmbimi i njohurive mbeten kyçe për adresimin të suksesëshëm të sfidave të përbashkëta mjedisore.

Nada Pejoviq, Shefe e Drejtorisë për Programet Bilaterale Ndërkufitare në Ministrinë e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, prezantoi të dy programet, me theks të veçantë në mundësitë që ofron perspektiva financiare IPA III. Me këtë rast, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe përfitimet potenciale që këto programe sjellin për institucionet dhe komunitetet lokale.

Ngjarja shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave, frymëzim për projekte dhe partneritete të reja, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës.

Comments are disabled